Operacioni i koduar Kredia çoi në pranga 7 punonjës të një fondacioni monetar të cilët kishin arritur të krijonin një skemë gjigande mashtrimi duke përfituar shuma marramendëse që shkojnë deri në 3.7 mln euro.
Bëhet fjalë për fondin Besa ku drejtuesit e këtij institucioni privat kanë kallëzuar punonjësit e tyre në prokurori.
Pas hetimeve të specialisteve kundër krimit ekonomiko financiar në policinë e Tiranës u zbulua se e gjithë skema favorizohej dhe organizohej nga drejtoresha e një prej filialeve të fondit.
Ajo u arrestua së bashku me 4 punonjës te tjerë me të cilat ka bashkëpunuar në dhënien e kredive fiktive.
Në pranga u vunë edhe një ish oficer kredie i fondit dhe një sekser i cili ndërmjetësonte gjetjen e personave për kredi fiktive.
Nga hetimet ka rezultuar se klientët që kanë përfituar kreditë nuk janë paraqitur fare në zyrat e fondacionit në momentin e aplikimit.
Klientët e rremë paraqiteshin vetëm në momentin e tërheqjes se lekëve në banka dhe nga shuma e përfituar e kredisë, merrnin 25 deri në 35% ndërsa pjesa tjetër përfitohej nga Drejtoresha e degës, Oficeret e Kredisë dhe Sekserët.
Më pas drejtoresha lëshonte një vërtetim fiktiv, që e gjithë shuma e kredituar ishte likuiduar nga klienti.
Shumat që janë dhëne deri tani shkon në vlerën 2 mln euro por dyshimet janë per nje vlere edhe më e madhe.
Për të mbuluar skemën e mashtrimit nga Drejtoresha e Degës, janë marrë edhe shuma të mëdha valute me interes nga persona të ndryshëm, të cilat arrijnë deri në 1.7 milion euro.
Krahas 7 të arrestuarve në kërkim është shpallur edhe një tjetër pjesëtar i grupit qe luante rolin e sekserit. Ndaj tyre rëndojnë akuzat e Skemave mashtruese dhe piramidale si dhe Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën