Sali Berisha nuk i njeh përgjegjësi vetes në humbjen e thellë të 14 majit.
Tashmë do të shohim sesi do të reagojnë deputetët e kësaj partie.
A do të mbajnë qëndrim ndaj Sali Berishës?
A do reagojnë këta deputetë, apo do përulen përballë Berishës?
Deri më tani askush se ka marrë guximin të përballet me Sali Berishën, me ide, me argumenta, me frymë tjetër. Të gjithë janë tëhequr dhe përballë Sali Bërishës lanë Ibsen Elezin.
Por ai ose ajo që do të marrë guximin të përballet me Berishën, mund të jetë lideri i kësaj partie. Sepse e kemi parë se çfarë ndodh kur “lider” bëhet dikush që nuk bën asnjë betejë, por i dhurohet karrigia e kryetarit. (rasti Basha).
Shqiptarët i dhanë një mesazh Lidershipit të PD-së. Tashmë u takon atyre ta shohin me objektivitet çfarë ka ndodhur në 14 maj. Shqiptarët nuk duan më rrotacion, duan ndryshim mentaliteti politik, duan një frymë ndryshe. Nuk duan të çojnë në opozitë një parti për të sjellë një tjetër në pushtet, e cila ka të njëjtën filozofi si qeveria e Ramës. Hajde në pushtet e pasurohu vetë. Shqiptarët kërkojnë të dalin nga rrethi vicioz që kanë 32 vite që rrotullohen.
Shqiptarët po duan t’I japin PD-së armën më të fortë përballë qeverisë së korruptuar të Edi Ramës, frymën e re. Dhe kjo frymë do u kthejë njerëzve besimin, shpresën për të mundur Ramën.
Patjetër që kjo makineria elektorale e PS vjedh, bën presion, kërcënon për votë, për vendin e punës etj, por nëse sheh rezultatet, PS ka të njëjtat vota si në 2021-in. Është opozita ajo që duhet të analizojë se ku i shkuan 200 mijë vota në krahasim me 2021-in dhe pse nuk e votuan më?
Duhet të analizojë se pse nuk del të votojë elektorati gri?
Nëse nga PD, s’guxon njeri t’i dalë përballë Berishës, atëhërë është URGJENCË KOMBËTARE, krijimi i një alternative të re të djathtë.
Shqiptarët s’mund të mbeten peng i një individi dhe dëshirës së tij për të mos lexuar vullnetin e shqiptarëve siç duhet.
Krijimi i një alternative të re do i jepte mundësi shqiptarëve të votonin në masë ndaj një qeverisje që tashmë korrupsionin dhe vjedhjen e bën hapur, në ditën me diell. (rasti flagrant i inceneratorëve, etj)
Dhe ata që kanë shpresë se Lulzim Basha mund të kthehet, po thellojnë edhe më shumë krizën e kësaj force politike. Lulzim Basha është një kapitull i mbyllur për shqiptarët, pasi shoqëria jonë s’mund t’i japë shansin një njeriu që ka vërtetuar që nuk di të bëj marrëveshje, nuk di të marrë vendime, madje kur i merr ato, dalin në favor të Ramës. (rasti i djegies së mandateve, bojkoti i zgjedhjeve vendore 2019).
Prandaj të dy përkrahësit e grupimeve Berisha e Basha, duhet të kuptojnë sa më parë, se nëse duan të vijnë në pushtet, duhet të vrasin kultin e individit dhe të kuptojnë që e ardhmja është ide, punë, program, shpresë, frymë e re.
Sot Shqipëria më shumë se asnjëhërë ka nevoje për t’i dalë Zot, për të mos e lënë të shkojë në një hartë nga veriu në jug, mavi, pasi rrezikohet që Rama në 2025-ën, të marrë i vetëm aq deputetë sa të bëj i vetëm ndryshime kushtetuese. Pastaj vaj halli!
Nga | Osman STAFA

