Mbas nji statusi telegrafik që pata ba mbi “burkizimin” profanues të shtatores të Nanë Terezës, si apoteoza e nji proçesi të gjatë të përçudtnimit “artistik” të figurave katolike shqiptare, po tham edhe nja dy fjalë për hutimin e frikshëm të grigjës katolike në kto votime me rezultat të paracaktuem.
Konkretisht, po ndalem në qarkun e Shkodrës, kryeqendren e katoliçizmit shqiptar, ku nji pjesë e mirë e elementit katolik, ende nuk ka dalë prej kllapisë të instrumentalizimit prej nji strukturë me qark të mbyllun otomane, e cila edhe ne grahmat e fundit, don ne replikue “respektin” elektoral në nenshtrim të ktij komuniteti me histori të lavdishme.
Në nji rezultat elektoral të paracaktuem, sikur asht ky i 14 majit, me bekimin e politikës euro-atlantike, në vend si me ba tifozllek vetëposhtnues, asht mirë me ba mea culpa për marrinë 30vjeçare të rreshtimit akritik me liftingun otoman, tue xjerr msimet e duhuna për nji angazhim politik në harmoni me të mirën e përbashkët dhe sinergji vllaznore me aleatët tonë historik e natyror euro-atlantik.
Shkodra në kto 32 vite nuk asht kenë nji bastion antikomunist, sikur duen me krijue narrativën disa mjeranë, por nji laborator persekutimi i butë e taktik i frymës perëndimore të saj, me induktimin ciklik të strategjisë të tensionit për interesa politike ordinere të parisë të Tiranës, për me defaktorizue komunitetin katolikë dhe nxitë konflikte fetare, të cilët shumica qytetarëve të përgjegjshëm të saj i kanë shmang me dinjitet.
Madje, edhe kryengritja e Postribës që kremtohet me injorancë të thellë prej shumë naivëve të nahijes tonë politike e shoqnore, si demek lëvizja e parë antikomuniste, realisht përfaqëson shkërmoqjen e iluzionit të bashkëpunimit me elementin otoman, i cili në atë lëvizje trathtoi deri në flijim kamikaz, kauzën perëndimore të organizimit të saj.
Në këtë kuptim, më duken patetike deri në dëshpërim disa vizatime karikaturale të qytetarit shkodranit që voton “magjypin”, me kusht që të jetë i Pd, mbasi nuk i korrespondon aspak të vërtetës. Mbas “bombardimit” 32 vjeçar me elegji “antikomuniste”, tashma edhe viktimat e sinqerta të ksaj narkopropogande të gjatë dhe bajate, po denuncojnë haptazi “rikushetin” e militantizmit të tyne akritik. Megjithatë, në rastin e Shkodrës, kandidatët për kryetar Bashkie janë te dy produkt i Partisë Demokratike, edhe pse ish tezorieri i Krytarit të Pd, Benet Beci, dmth, njeriu të cilit i ishin besue paret, formalisht asht propozue prej Ramës…Ky fakt duhet meditue e kuptue se aty nuk ka asnji përplasje apokaliptike.
Prandej, ka ardhë koha mos me u përfshi fort emotivisht në kto votime, me rezultat të paracaktuem, ku asht vendosë me mjete jo demokratike fitorja e kanditatëvë të Ps, përfshi Bashkia e Shkodrës, por edhe tërhekja nga qeveria e politika e Edi Ramës.
Ky rezultat i paracaktuem në votimet e 14 majit, asht mbi të gjitha nji ndëshkim poshtnues amerikan ndaj Sali Berishës, i cili tashma e ka të gatshme e konkrete alibinë e humbjes. Në fakt, 14 maji i Ramës i ngjan disi 20 tetorit të vitit 1996 të Berishës, ku ky i fundit, ishte i gzuem që humbi Shkodrën…madje e tha para disa javësh që Shkodra nuk ka gabue kurrë në zgjedhje…në fakt, humbja e Artur Lukës, ishte me mrapavijë defaktorizuese të komunitetit katolik dhe inaugurimi i nji politike meskine konjukturash në përzgjedhjen e drejtuesve lokal në krejt qarkun e Shkodrës.
Si përfundim, duhet urue që të mbarojë ky eksperiment dashakeq induktimit artificial i strategjisë të tensionit në Shqipni e sidomos në Shkodër, tue rikuperue përfaqësimin dinjitoz të shprehive plurale në Shkodër e mbarë Shqipninë. Kena nevojë për mesazhe paqe sociale e liri demokratike, pa shantazhe retorikash vllavrasëse e përjashtuese. Shkodra asht Jeruzalemi apo Sarajeva e Shqipnisë dhe duhet trajtue me delikatesë, vërtetsi, rrespekt e dashamirësi, larg gjuhës të rreshtimit kundër armikut imagjinar.
Mbas 14 majit, rreziku “anglo-amerikan” asht rinjallja e Lulzim Bashës me ndihmën e detyrueme të Ramës për ta faktorizue në marrjen e pushtetit në tavolinl dhe opozitarët e vërtet duhet ta shmangun këtë regres eksperimetal të dinamikës politike.
Opinionin nga Nesti ZEFI