Qokat përkujtuese te Pater Gjergj Fishtës

326

Sa herë qëllon përvjetori përkujtues i patër Gjergjit, si për ditlindje apo ditën e dekës, krahas “grumbullimeve” laike e me “shqiptari kooperativiste” nuk mungojnë asnjiherë të njajtat viktimizma idiote dhe “agresione” hipërbolizuese qe nuk kanë lidhje me historinë e jetës e të veprës të fratit tonë të shquem. Madje nji studiuese apo ma mire nji fanse e tij e kohnave moderne thote se Gjergj Fishta ka vetëm ditëlindje, tue e ngatërrue me Enver Hoxhën dhe tue harrue se për të kshtenin, aq ma tepër për nji meshtar si Patër Gjergji, dita e dekës asht bash dita e lejmjes në qiell, pra, ditëlindje e vërtet…


Pjesa autoviktimizuese, ankohet se nuk e ndjekë sa duhet media e establishmenti “kulturor” shqiptar Patër Gjergjin, tue reklamue nji vend ma të naltë në panteonin e kulturës shqiptare. Ky model ankimëtar në profilin e tyne te fb apo edhe në biseda e referate perkujtuese të Patër Gjergjit citojnë me eksitim disa fraze shabllone qe i janë veshë atij të tipit: “kena Bajram e Pashkë por shqiptarinë e kena bashkë, do të shkrijme kryqet e do t’i bajmë fishekë për me mbrojtë vllaznit tonë mysliman” e marrina të tilla.

Aq fort i mëshojnë ksaj retorike llafologjike të shpërlame, sa krijohet ideja se Patër Gjergji ishte apostati i fesë të Krishtit dhe themeluesi i fesë të re avanguard të Shqiptarisë…Kto premisa krejt të gabueme, shejë e nji vetëtredhje mendore e vasaliteti psikologjikë ndaj humusit otoman të realitetit shqiptar, rrezikojnë me krijue nji parodi e karikaturë të personalitetit të jashtëzakonshëm të Patër Gjergjit dhe arsyeja kryesore pse figura e tij nuk po merr në nivelet e duhuna vëmendjen qe i takon. Patër Gjergji don kohë me u shpjegue e interpretue ne thesarin e tij të jashtëzakonshëm dhe me premisat e deritashme të “kalorësit të Shqiptarisë” figura e tij pson nji deformim të panevojshëm.

Koha e lulëzimit e harlisjes kulturore të Patër Gjergjit në fillim shekullin e XX, bashkë me nji plejade klerikësh e personalitetesh të tjerë katolikë shqiptar, ishin rezultati i nji inkumbimi pregatitor të gjatë, falë ndërhymjes gjeopolitike të Perandorisë Austro-hungareze, e cila u ba protektore e pakicës katolike Shqiptare, kur filluan plasaritjet e forta të sundimit të Perandorisë Osmane. Ky fakt tregon se Patër Gjergj Fishta me personalitete të tjera të kalibrit të tij, nuk ishte produkt i rastësisë, por kryekëput I lirisë relative qe u përftue me ringritjen kulturore e daljen e ngadaltë prej katakombeve të komunitetit katolik, pjesë e të cilit ai ishte krenarisht.

Në kët perspektive, për sa kohë komuniteti katolik, apo ato që aktualisht mëtojnë se e përfaqësojnë kulturalisht e politikisht, nuk janë të vetëdijshëm për koordinatat e veta kulturore e bajnë kompromise të ulta mbijetese, tue krasitë elementet esencial të Patër Gjergjit, me idenë iluzore se bahet ma përbashkues, figura e tij do të ndjekë fatin e komunitetit prej kah vjen, me të gjitha implikimet inerciale të rastit. Binomi fe e atdhe, për të cilin u sakrifikuen martirët tonë e të cilit i këndoi Patër Gjergji me gjenialitetin e vet hyjnor, asht ushqy prej miqësisë me Krishtin e besnikërisë ndaj lajmit të mirë që në tokën arbnore erdhi prej vetë Shën Palit. Prandej nuk asht aspak rastësi që personalitetet ma të mëdha historike të kombit tonë janë persona, shumica meshtar, të rranjosun në miqësinë e Krishtit dhe paradoksalisht na i kanë pru e shpjegue ma mirë në realitetin tonë, disa studiues të vendeve europiane, mbasi ato i kanë analizue në elementët e tyne thelbësor.


Gjergj Kastrioti, Nanë Tereza, Frang Bardhi, Budi, Buzuku e deri te Patër Gjergj Fishta, dëshmojnë katërcipërisht se asht feja e Krishtit që e mban gjallë kombin e jo gjuha, geni apo ndonji variabël tjetër, të cilat kanë funksionin e vlerave plotësuese, por kurrsesi nuk munden me kenë parim arkitektonik i qenësishëm. Kultura, dija, kuptimi i tjetrit, sensi i shndosht kritik dhe predikimi i lajmit te mirë, nuk operojnë asnjiherë në nji terren neutral, por kërkojnë sistematikisht kurajon ekzorçizuese të së vërtetës, pa mbet peng e kushtëzimeve sipërfaqësore apo epidermike, tue sakrifikue bash të vërtetën në altarin e leverdisë meskine.

Mos të harrojmë se ato që kanë urrye Patër Gjergjin, sa me i dhunue varrin, ndalue veprat, nuk ishin shqiptar, por mbetje safi radioaktive otomane dhe pa nji “bonifikim” te fortë kulturor e proces vetëdijësimi ndaj nji të vërtete kaq elementare, në çdo përvjetor qokash për nder të tij, do ndigjojmë të njajtat litani apo refrene zhurmuese, me demek vlerësuese…

Nga Nest ZEFI