Gjermania ashpërson masat ndaj Covid-19 për këdo që kapet pa maskë.

274

50 euro gjobë për këdo që kapet pa maskë dhe ndalim i festave aop grumbullimeve të mëdha publike deri vitin e ardhshëm. Këto janë dy nga masat kryesore që Gjermania ka ashpërsuar masat ndaj Covid-19.

Kancelarja Merkel dhe 16 kryetarët e landeve njoftuan se masat e reja synojnë të zvogëlojnë numrin e rasteve me koronavirus. Kryetarja e qeverisë gjermane theksoi se: “Me të drejtë Gjermania deri më tani mund të thotë se e ka përballuar mirë këtë pandemi. Megjithatë javët e fundit shohim që numri i infeksioneve është rritur. Ne e marrim shumë seriozisht këtë rritje të numrit të infeksioneve gjatë verës dhe duam që ta ulim numrin e rasteve.

Masat përfshijnë një gjobë minimale prej 50 eurosh për këdo që kapet pa maskë në dyqane dhe mjetet e transportit publik. “Zyrat e Shëndetit Publik” thotë se problem është bërë pakujdesia dhe shpërfillja e rregullave nga ata persona që nuk ndjekin masat e higjenës dhe të distancimit fizik. Kjo shpjegon edhe vendimin për gjobitjen në shkallë vendi të atyre që nuk mbajnë maskë. Më parë dënimet ishin shumë të ndryshme nga shteti në shtet.

Në lidhje me kufizimin e numrit të pjesëmarrësve në festa private nuk u vendos një numër i saktë nga qeveria, se sa persona do të lejohen. Në vend të kësaj Merkel dhe kryetarët e landeve u kërkuan gjermanëve të mendojnë dhe të vendosin vetë për çdo rast të caktuar, nëse pjesëmarrja në një festë është e domosdoshme dhe e justifikueshme.

Në fakt në Gjermani po shënohet një rritje serioze e rasteve me Covid-19. Shifrat e përditshme të infeksioneve në Gjermani janë rritur në nivele që nuk janë parë që nga fundi i prillit. Si përgjegjës për përhapjen e virusit dhe për këtë rritje konsiderohen pjesërisht pjesëmarrësit në festat lokale, por edhe pushuesit që kthehen nga vendet e tjera.

Kjo shpjegon edhe një masë tjetër për të cilën u ra dakord në takim: Ndërprerjen e testimeve falas për udhëtarët që kthehen nga zonat jo me rrezik. Tani përparësia do t’u jepet rregullave të karantinës për personat që kthehen nga rajone me rrezik të lartë.

Merkel u shpreh se mbulimi i gojës dhe hundës në mjedise të caktuara publike është i detyrueshëm dhe duhet të kontrollohet e sanksionohet në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet e rendit publik”.