Berisha s’ka kërkuar kurrë ndjesë për grushtin e shtetit më 14 shtator ’98, pse s’feston së paku?!

451

Në 21 vjetorin e pushtimit me dhunë të kryeministrisë dhe institucioneve të tjera, ish kreu i PD nuk ka shfaqur asnjë pendesë. Në muajin maj Berisha tha se të revoltuarit guximtarë po të mos i tërhiqte kryetari i PD në pak minuta do të vendosnin flamurin e fitores mbi ministrinë e drogës dhe krimit njëlloj siç e vendosën më 14 shtator 1998 në kryeministri.

Kur shteti hesht, Prokuroria nuk luan as “gishtin”, Berishës i lind e drejta ta shpallë 14 shtatorin ‘festë’ të PD në përkujtim të “nguljes së flamurit të fitores në kryeministri”
Sa herë afrohet 14 shtatori, shqiptarët presin me shpresë se Sali Berisha, do të dalë para mediave, tashmë në pleqërinë e thellë dhe do të kërkojë një ndjesë publike për grushtin e dështuar të shtetit të vitit 1998.

Dhe në përvjetorin e 21 të vrasjes së Azem Hajdarit, liderit të Dhjetorit, ekzekutimi i të cilit para selisë së PD u shfrytëzua dy ditë më vonë për të realizuar sulmin për pushtimin e institucioneve kryesore të shtetit, sërish shqiptarët kishin ndjesinë se Berisha do të pendohej.

Ndokush shpresoi se me ardhjen e pleqërisë, njeriu bën një bilanc dhe kërkon të jetë në rregull me “letrat” në këtë botë, përpara se të lërë amanetet për të shkuar i qetë në botën tjetër, si gjithë frymorët e tjerë.

Si të gjithë njerëzit e kësaj moshe, emotiviteti bën të veten dhe rrëfehen dhe elementët më të parrëfyeshëm në jetë, thjeshtë dhe vetëm për të qënë i sinqertë të paktën njëherë në jetë.

Nuk kërkohet nga Berisha që të marrë përgjegjësinë e grushtit të shtetit, pasi atë përgjegjësi nuk ia ngarkuan për 24 vite as organet ligjzbatuese, por të paktën të thotë se mban përgjegjësi që turma doli jashtë kontrollit nga dhimbja për vrasjen e Azem Hajdarit. As këtë se tha kurrë.

Përkundrazi, Berisha gjithnjë ka bërë një sfidë të jashtëzakonshme jo vetëm ndaj mazhorancës, por dhe ndaj organeve ligjzbatuese shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë.

Gjithnjë ka deklaruar se nga grushti i shtetit Fatos Nano iku nga sytë këmbët në Maqedoni, ka përqeshur liderët e tjerë të asaj kohë të cilët “lanë këpucët në kryeministri dhe Kuvend dhe ikën nga frika”.

Maskarallëku që bëri në atë kohë Sali Berisha ka qënë me të vërtetë i jashtëzakonshëm, pasi për hërë të parë Shqipërisë iu prenë të gjitha shpresat për integrimin, duke arritur deri atje sa i ndërprenë investimet, dhënien e kredive dhe donacionet, për shkak të situatës së pastabilizuar në vend.

Për më tepër që një grusht shteti ishte i padëgjuar për shumë e shumë dekada në tokën europiane, çka bërë që vlerësimi për Shqipërinë të shkonte vite pas, koston e të cilës e ndjejmë dhe sot.

Dhe Sali Berisha në vend të një ndjese publike për grushtin e dështuar të shtetit të 14 shtatorit, vijon vlerësimet për këtë ditë të zezë por dhe kërcënimet se do ta përsërisë kundër Ramës.

Pasi ka bërë thirrje në mes të Kuvendit dhe në deklarata publike për armatosjen e popullsisë për të rrëzuar Ramën, kulmin e arriti më 26 maj 2019 kur protestat e opozitës kërkoi t’i shndërronte në një grush shteti, të ngjashtëm me 14 shtatorin.

“Kjo revoltë, vetëm me frymën e fuqishme para saj i futi frikën deri në palcë dhe detyroi Edvinin të zhbëjë axhendën e tij në Tiranë, madje edhe me të huaj, dhe t’ia mbathë natën e të premtes për në Velebisht. Duke lëshuar kështu institucionin e kryeministrisë për të mos rrezikuar lëkurën e tij.

Njëlloj, era e stuhisë që po vinte detyroi ministrat e tij t’ja mbathnin si minj në drejtime të paditura jashtë Tiranës. Në këtë aspekt revolta e opozitës e datës 26 maj përsëriti pa dhunë dhe në një formë tjetër 14 shtatorin e vitit 1998!

Në të vërtetë, në përballjen e tyre me narkopolicinë, të revoltuarit guximtarë po të mos i tërhiqte kryetari i PD në pak minuta do të vendosnin flamurin e fitores mbi ministrinë e drogës dhe krimit njëlloj siç e vendosën më 14 shtator 1998 në kryeministri!”, deklaroi Berisha në maj të këtij viti.

Pra Berisha jo vetëm që s’ka pendesë për atë që ka bërë më 14 shtator 1998, por 21 vite më vonë merr përsipër të thotë se duhej të ishte përsëritur ai akt nga ana e Bashës, për të pushtuar kryeministrinë dhe institucionet e tjera dhe për të ngulur flamurin e PD mbi to.

E vërteta e hidhur është se Sali Berisha jo vetëm që nuk pendohet për këtë pushtim të institucioneve të shtetit me dhunë dhe tani kur është në pleqërinë e thellë, por bën thirrje që të merret si shembull dhe nga Basha për të ardhur në pushtet.

Pyetja e thjeshtë që bëjnë shqiptarët është se, përse Berisha nuk e shpall festë të partisë së tij 14 shtatorin dhe të festojë të paktën, “nguljen e flamurit të fitores në kryeministri” përmes dhunës./Pamfleti/