Për mbas të ndiemevet të të parëvet t’onë – kështu fillon me endë kallximin e vet secili plak i këtij Dukagjini – na të gjithë sa jemi, Shalë, Shosh e Mirditë kemi dalë prej detit dikur motit si gjinde të egër. Atij ma t’parit tonë prandej i kanë pasë thanë Murr Deti; të birit të tij Njer Deti e të nipit Dit Njeri.
Ky Dita pat tre djelm: Mirin, Zogun e Markun. Kemi zanë vend në Shirokë deri sa janë da vllaznit ndër vedi. Mirdita thotë, jemi da në Pështrik të Hasit, porn a si e dijmë prej të parësh, jemi da në Shirokë. Ditën e daes s’patën vllazënit shka me da tjetër veç nji shalë, nji shoshë e nji copë bukë, ky tanë rrasku (rraqet) e pasa e shpisë ditën e daes.
Zgjodh i pari vlla e muer shalën e kalit; atë ditë e sot i mbet emni Shalë; zgjodh i dyti e muer shoshën, prandej i mbet emni Shosh. Atij të tretit s’i mbet shka me marrë tjetër, veç muer bukën. Njeni ndër vllazën po i thotë me buzë qeshun: mana mirë dijte more lathi (vocërrak) ti për vedi qi more bukën. Prandej atë ditë e sot i mbet emni, prej tatet e prej buket, këtij ma të madhit vlla, Mirditë. Atëherë janë da tre vllaznit prej shoqishojt e mbas emnit thirren edhe sot trojet ku kanë ngulë e janë përhapë kto tri fise, deri në ditë të sodit.
Ma së pari u dynd Mirdita e zuni vend n’Orosh: Bib Kola me tre djemt e vet, Markun, Gjinin e Dodën: këta janë të parët e fiseve të Oroshit, të Kushnenit dhe të Spaçit; këto janë Mirdita e vendit. Fiset tjera ma të vogla si: Fandi, Skana, Frisku etj., ja janë anas, ja të pshtetun për Mirditën e vërtetë. Duel Skana me vrojtë tymin e parë e kur e pau se iu përhap Grykës Oroshit, ia lshoj vendit fisit të ri.
Marre nga libri: Atë Bernardin Palaj, ofm, Bota e maleve shqiptare , Shkodër 2018, 172 P.S. Ju lutemi atyre që ju pëlqen diçka që botohet këtu ne faqen e Dioqezës dhe duan ta marrin, të përdorin opsionin “shpërndaje” dhe jo copy paste. Kjo pasi duam që faqja, e cila ka si qëllim të përhapë vlera, të njihet. Ose së paku të citohet burimi.