Gjak marrja nuk kursen tashmë as gratë e fëmijët.

536

Një grua e re, nënë e tre djemve të mitur, ngujuar prej tre vitesh së bashku me bashkëshortin e fëmijët e saj në një shtëpi pothuaj të rrënuar, veç pak minuta larg Tiranës, infermiere në profesion, më shkroi para pak ditësh e më kërkoi ndihmë të divorcohej nga bashkëshorti pasi dhunohej prej tij, duke dashur të largohej për disa shkaqe radhazi nga Shqipëria për në Gjermani me fëmijët e saj, duke e parë si të vetmen mundësi shpëtimi këtë proces.
U dëshpërua shumë teksa mësoi se duhet të vinte doemos në gjykatë në seancën e pajtimit, fëmijët e saj për t’u pyetur në një tjetër seancë gjithashtu.

Ishin ngujuar të gjithë bashkë, për një vrasje për hakmarrje që kish kryer kunati i saj e kurrsesi nuk mund të kalonin pragun e asaj shtëpie, në rast të kundërt gjakësi i cili u kish zënë pritë e i priste ngado, do t’u merrte jetën paskësaj.

Nuk guxonte askush ti kallëzonte, duke qenë të bindur të gjithë bashkë se ishin krejtësisht të pambrojtur e masakra do të vijonte pa mëshirë paskësaj duke mos kursyer për breza të tërë njerëz të gjakut të tyre.
Kërkonte të largohej sa më parë, për të shpëtuar fëmijët kryesisht, për shkak dhe të mjerimit që i kish pllakosur të gjithëve bashkë. Pas thirrjes për infermierë në Gjermani, kish shpresuar shumë të niste një jetë të re, duke u vënë së paku bukë në sofër fëmijëve të saj, pa frikën se tyta e ndezur e gjakësit mund të copëtonte orë pas ore e pa asnjë shkak trupat e mpakur e të drobitur të tyre.

Ligjvënësi nuk ka parashikuar hapësira ligjore për tu aplikuar në raste të veçanta, ndërsa është caktuar që paditësi duhet të paraqitet me çdo kusht para gjykatës (seancën e pajtimit), në procesin e divorcit.
Mosmarrëveshjet e njohura si “gjakmarrje” me shumë gjasë do të përcillen për gjenerata të tëra këtu.
68 familje në Shkodër e disa dhjetëra të tjera në Shqipëri, në Tiranë gjithashtu, flenë çdo natë nën një çati me vdekjen e tmerrin bashkë, ndërsa dhjetëra burra, fëmijë e gra, janë në gjak, për krime të supozuara, duke vijuar orët e tmerrit në ato oda të varfra ku refuzon të hyjë dhe një rreze dielli përveçse.
Këta fajtorë pa faj, gratë e fëmijët posaçërisht, me kanun së paku, duhet të ishin të paprekshëm, por gjakësit e vrasësit nuk kursejnë askënd, duke marrë ditë pas dite jetë njerëzish.

Askush nuk i zë në gojë e askush nuk merret me këta fatkeq, ndërsa të gjithë bashkë këta të fundit, janë koshientë që shteti i tyre është i pafuqishëm të mbrojë secilin prej tyre apo të parandalojë këto vrasje.
Toleranca e falja do të mbyllte përfundimisht ciklin e dhunës për secilin prej tyre, ndërsa strukturat shtetërore, shoqëria civile e krejt shoqëria është indiferentë krejt, duke mos bërë askush përpjekje për të minimizuar këtë plagë të rëndë. Të dënohesh me vdekje pa asnjë shkak e faj vetëm këtu mund të ndodhë.

Nga Av.Denisa Daka dritare.net