A THUA SE…

523

A thua se….

Pak dite më parë drejtori i përgjithshëm i policisë Ardi Veliu lajmëroi përfundimin e një megaoperacioni i cili sipas tij në një shtrirje kohore prej 10 muajsh vuri në pranga 61 persona ndërsa sekuestroi hashash disa gramë kokainë por dhe vlera monetare.

Veç të gjithë gërmave të Alfabetit që u lodh duke lexuar deri sa situata në një moment u bë qesharake, ajo që bie në sy është se prej kohësh gazetarëve të terrenit, kryesisht atyre të kronikës u serviren gjithnjë e më shumë megaoperacione, gjobat e policisë rrugore, kontrolle si nëpër filma të edituara aq mirë në sallën operative të DPPSH dhe….KAQ.

Një lloj forme e kasetave moderne të fushatës politike dikur….

Prej kohësh nëse një gazetar kronike kërkon informacion mbi diçka që nuk i shkon për shtat megaoperacionit të policisë askush nuk di gjë. Prej kohësh kur publiku kërkon zhvillim të aktualitetit të ditës, përgjigja është e njëjtë.

Nuk është hera e parë që gjendem përballë kësaj situate por në të njëjtën kohë refuzoj të bëj lajmet që serviren në tabakanë e bukur të godinës së ish-hotelit Arbana.

Prej kohësh kam dëgjuar dhe drejtorin e përgjithshëm të policisë i cili premtonte se në ngjarje të rënda do jetë dikush qe do flasë fill pas saj me zë dhe figurë por ai asnjëherë nuk u gjet. Na thuhej se duhet dikush që di të flasë….

Kisha parë e lexuar dhe përgënjeshtrime të policisë por kurrë që për një lajm të vërtetë të marrë nga gazetarët e terrenit, reagime në emër te disa institucioneve si e si që të përbaltin punën tënde.

Me hyrjen e rrjeteve sociale megaoperacionet e policisë vijnë lumë, a thua se në këtë vend nuk jetojmë, a thua se në këtë vend nuk ka krime, a thua se në këtë vend nuk ka aksidente, a thua se kur ministri i brendshëm lajmëroi heqjen e postblloqeve por efektivët rrugore i ke gjithnjë tek cepi që nuk duket, a thua se zëvendësimi i drejtorëve në rrethe edhe nga ata që deri dje kërcënonin gazetarët do ulin kriminalitetin, a thua se prioritetet që shpall ministri do ndiqen me rigorozitet, a thua se personat në kërkim u shpallën sot kur deri dje ata jetonin e pinin kafe në mes të metropolit shqiptar, a thua se trafiku i lëndëve narkotike është ulur, a thua se kur ka disa të vdekur për policinë nuk janë disa por një ngjarje që të ulë statistikat, a thua se në këtë vend gjithshka funksionon aq mirë saqë dhe komunikatat ditore të policisë u zhdukën për shkak se nuk ka më ngjarje, a thua se vetëdorëzimet e të shpallurve në kërkim nuk bëhen se është policia kaq efikase por gjakësi e krimineli më shumë, a thua se është ky i vetmi drejtor i megaoperacioneve që kam parë…..

Nga Jul KASAPI – A2 CNN