Raporti i ambasadës së SHBA për lirinë e medias: Gazetarët nën presion dhe kërcënim

410

Shumica e gazetarëve shqiptare punojnë nën presion dhe janë të kërcënuar. Më shumë se gjysma e tyre pranojnë se janë censuruar dhe vetë censuruar gjatë ushtrimit të profesionit.

 Pra nuk mund të themi se ka liri në media, sot në ditën ku manifestohet dhe luftohet për të këtë liri. Në Shqipëri ende ka shumë probleme. 

Këtë ka nxjerrë në pah studimi i ambasadës amerikane, që raporton përmes shefit të zyrës së shtypit atë çka kanë thënë profesionistët e medias në vendin tonë.

 “Pati përpjekje për të ushtruar presion të drejtpërdrejtë politik dhe ekonomik mbi median, me anë të kërcënimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve që u përpoqën të investigojnë krimin dhe korrupsionin.  Më shumë se gjysma e të intervistuarëve thanë se kanë marrë urdhër nga drejtori dhe kryeredaktori për një artikull të porositur. 42% e të intervistuarve beson se mediat vetëcensurohen, dhe 36% mendonin se ka vetëcensurë”, deklaroi Brian Beckman,  shefi i zyrës së marrëdhënieve me publikun në ambasadën amerikane. 

Pedagogu dhe njohësi i medias Lutfi Dervishi thekson se gazetaria sot ka probleme që në bankat e shkollës, e deri tek ata që punojnë sot të padeklaruar.

 “Kur pyet sot studentët e vitit të parë se çfarë duan të bëhen, citohen gjithmonë opinionist dhe analistë, dhe jo reporterë. Një gjë tjetër e keqe është shfaqja e anonimatit”, thekson Dervishi.  

Mbledhja e këtyre të dhënave nuk kanë qenë një mision i thjeshtë për institutin e kërkimeve dhe alternativave të zhvillimit.

Por, pikëpamja më pozitive në këtë raport është fakti se gazetarët profesionistë, nuk pendohen se kanë zgjedhur këtë profesion dhe se ua këshillojnë të rinjve të ndjekin studimet për gazetari.