Fëmijët larg ekranit! OBSH: Nën një vjeç, asnjë minutë

492

Sa kohë duhet të kalojnë saktësisht fëmijët përpara ekranit? Organizata Botërore e Shëndetësisë këshillon që të vegjlit e moshave 2 deri në 4-vjeç “të mos ekspozohen para ekraneve më shumë se një orë në ditë”, ndërsa njëvjeçarët sipas saj, nuk duhet të ekspozohen fare.

Me ekspozim, veç të tjerash ajo nëkupton, siç sqaroi edhe vet, edhe televizorin dhe lojërat në kompjuter. Në udhëzimin e saj të parë për këtë çështje, OBSH-ja këmbëngul që të miturit nën 5 vjeç duhet të jenë fizikisht aktivë dhe të flenë mjaftueshëm për një zhvillim të shëndetshëm, ndërsa thekson se ata mes 1 dhe 4 vjeç duhet të kalojnë të paktën 3 orë në ditë të angazhuar në aktivitete fizike.

“Foshnjat nën moshën njëvjeçare duhet të ndërveprojnë të ulur në dysheme dhe t’i shmangin të gjitha ekranet”, thotë OBSH-ja, që e cilëson mungesën e aktivitetit fizik një faktor kryesor rreziku për vdekshmërinë dhe një element kryesor në rritjen e niveleve të obezitetit në mbarë botën. Në një raport të sajin të mëparshëm, agjencia nënvizonte se, gjatë 40 viteve të fundit, numri i fëmijëve dhe adoleshentëve mbipeshë është rritur 10 herë, duke u shtuar me 120 milionë.