Autostrada Tiranë-Elbasan, Rama: Projekti i rrugës, mizerabël

528

Kryeministri Edi Rama inspektoi ditën e sotme punimet në autostradën Tiranë-Elbasan. Edhe pas 7 vjet nga nisja e ndërtimit të saj, sot u hap vetëm një korsi.

“Po përfundon ky makth dhe pas kaq kohësh po mbaron historia e befasive. Projekti ishte një mizerabilitet total”, u shpreh Edi Rama gjatë inspektimit të kësaj rruge. Më 17 maj pritet që autostrada të jetë funksionale në të dyja kahet.

Ndërtimi i Autostradës Tiranë-Elbasan nisi më 29 prill të vitit 2011. Pas “Rrugës së Kombit”, ajo është vepra e dytë më e madhe publike në vend. Investimi nisi fillimisht me një shumë prej 290 milionë dollarësh, të siguruara përmes disa donacioneve me mbështetjen e Bankës Islamike për Zhvillim. Ndërkaq në qershor 2017, përpara zgjedhjeve, parlamenti do të miratonte marrjen e një kredie prej 35 milionë dollarësh për të financuar koston shtesë të dalë mbi projektin fillestar.

Projekti do të haste probleme të tjera gjatë zbatimit dhe kosto e tij do të shtohej rrugës, për të arritur në një finale me rreth 450 milionë dollarë. Afati fillestar për përfundimin e autostradës ishte viti 2014. Rreth 5 vite më vonë, rruga është ende e hapur.