Nga Adriatik Balla.
Referuar librit “Gjigandi Arben Minga”, me autor Bedri Alimehmeti Partizani ishte skuadra më e fuqishme e futbollit shqiptar ndërmjet viteve 1946-1990, ku ka fituar shumë tituj kampionë e shumë kupa të Republikës, me lojtarë të mëdhenj e me suksese të rëndësishme, shkurt një klub që ka bërë histori.
Duhet thënë se Tirona, edhe pse nuk gëzonte në monizëm simpatinë e strukturave shtetërore (Partizani e Dinamo ishin përkatësisht klubi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme, dy nga dikasteret më të fuqishëm të kohës), pati një shkëlqim unik, sfidoi madje dhe diktaturën në sport, falë lojtarëve të saj të mrekullueshëm.
Sidomos Tirona e viteve 80-90-të e shekullit të kaluar ka qenë një skuadër e mrekullueshme, me lojtarë fantastikë dhe ka mposhtur rivalët e saj në fushë për t’u kurorëzuar si më e mira e atyre viteve. Në memorien e sportdashësve dhe rinisë së kohës ka mbetur e gjallë ndeshja e 22 shtatorit 1985, në ndeshjen hapëse të kampionatit, ku Tirona mposhti me rezultatin 7-3 Partizanin, rivalin e fortë e me emër të madh në atë kohë, duke shkaktuar një jehonë të pazakontë,aq sa për të u diskutua në Byronë Politike të kohës.
Ishte një humbje e rëndë për drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes të sistemit monist dhe për pushtetin në tërësi, pavarësisht se ishte një ndeshje futbolli e zakonshme në kampionat. Ky rezultat historik do të fiksohej në memorien e fansave dhe do të bëhej objekt “talljeje” për kundërshtarin me ngjashmërinë e “orarit të punës, 7 me 3”.
Në atë ndeshje ka spikatur si rrallë kush Arben Minga, me një tregolësh, njëri më i bukur se tjetri, i fiksuar dhe në bllokunditar që ka mbajtur po atë ditë babai i tij, Ilo Minga dhe përshkruar bukur nga shkrimtari dhe gazetari sportiv Bedri Alimehmeti.
Dy gola nga Ramadani, një i Kolës dhe një i Muçës, plotësuan shtatëgolëshin e Tironës në atë ndeshje lapidare në historinë bardheblu, ku padyshim i skalitur ka mbetur emri i Arben Mingës. Golin e tij të dytë Minga e shënoi nga një goditje dënimi nëpërmjet një gjuajtje “bombë” nga një largësi prej 30 metrash. Kurse golin e tretë e realizoi në ecje e sipër pa e ndalur fare topin. Ishte një fitore shumë e bujshme në mjedisin sportiv në atë kohë, një fitore që sikurse u tha tronditi Byronë Politike që mbante hapur krahun e Partizanit.
Nëpërmjet kësaj fitoreje, Tirona kishte fiksuar një sukses të madh dhe veçanërisht rezultati ishte i tillë që ende sot mbahet mend për rëndësinë e tij dhe jehonën që shkaktoi./newsport/