Edhe Kosova përfiton nga projekti i GIZ-it për menaxhimin e përmbytjeve.

393

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka nënshkruar memorandum me organizatën GIZ për realizimin e projektit rajonal “Përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike, përmes menaxhimit ndërkufitar të rrezikut nga përmbytja në Ballkanin Perëndimor”.

Matoshi ka thënë se ky projekt ka vlerën 3 milionë euro për tri vjetët e ardhshme për katër shtetet e rajonit.

“Nënshkrimi i këtij memorandumi është edhe një dëshmi e radhës e bashkëpunimit të shkëlqyer dhe përkrahjes së madhe që kemi nga Qeveria e Gjermanisë në fushën e mjedisit”.

Ai ka shtuar se qëllimi i këtij projekti është përforcimi i menaxhimit ndërkufitar të rrezikut nga përmbytjet në lidhje me ndryshimet klimatike në Ballkanin Perëndimor.

“Me këtë projekt, Kosova do të shënojë edhe më tutje rezultate pozitive në fushën e ndryshimeve klimatike dhe mbrojtje nga përmbytjet”.

Në ndërkohë Anja Backy, sekretare e Ambasadës Gjermane në Kosovë, ka thënë se kanë punuar gjashtë vjet për këtë projekt.

“Ndryshimet klimatike tashmë janë prezente dhe ne duhet ta përgatisim veten mirë në mënyrë që t’i menaxhojmë këto emergjenca – duhet t’i monitorojmë dhe parashikojmë që të jemi sa më të përgatitur”.

Backy ka thënë se këto situata kërkojnë adresim institucional andaj edhe janë të kënaqur që bashkëpunojnë me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Institutin e Hidrologjisë.