Ky nuk është Dhjetori I Dytë -Opozita nuk mund të ”nxjerrë gështenjat” me duart e studentëve

558

Përpara se ta pëlqeni ose komentoni negativisht këtë shkrim, ju ftoj ta lexoni deri në fund dhe të mos niseni thjeshtë nga titulli. Në fakt ajo që kam shkruar në krye të këtij shkrimi është e vërtetë; Dhjetori i 2018, nuk është Dhjetori i Dytë i Shqipërisë. Po ashtu, opozita nuk mund të përfitojë dot nga protesta dhe nëpërmjet studentëve të mund të arrijë të rrëzojë qeverinë. Do të mundohem t’i argumentoj të dyja si dhe të shtjelloj një pyetje tjetër; a është protesta një lëvizje politike dhe çfarë duhet të bëjë në këtë rast opozita ?!

Së pari, edhe statistikisht ky nuk është Dhjetori i Dytë i protestave të studentëve ndaj qeverive. Fiks një vit pas studentëve të Tiranës, u ngritën studentët në Shkodër dhe patën po ashtu edhe ata kërkesa të alternuara politike dhe ekonomike. Unë jam një prej pjestarëve të grevës së urisë në atë kohë (1991), ndërsa si gazetar mbaj mend edhe protesta të tjera të studentëve gjatë muajve dhjetor si në rastin e studentëve të Vlores, Politeknikumit në Tiranë, etj. Por sido që të jetë, e dyta apo edhe e treta, nuk është e thënë që shprehja “e treta, e vërteta”, të jëtë gjithnjë funskionale. Kjo në kuptimin për rrëzimin e një qeverie.

Së dyti, duke ardhur në pyetjen që shtron secili prej nesh, a është apo jo kjo protestë një lëvizje politike, qartësisht po përvijojet se është e tillë. Një protestë që do të shoqërohej psh me incidente apo thyerje vitrinash dyqanesh etj, ndërsa pjesëmarrësit do të shkonin më pas në shtëpi, sigurisht që do të ishte një lajm kronike në radhën e lajmeve të çdo TV. Por kur një protest vazhdon më ditë të tëra, ka një kërkesë ndaj politikës së një qeverie (konkretisht arsimit), por edhe qëndrime ndaj keqqeverisjes, sigurisht që një media e trajton atë si një lajm politik.

Dhe kështu është, përderisa edhe pjesëmarrësit po artikulohen pak e nga pak për qëllimet dhe interesat e tyre politike afatshkurtëra. Tjetër gjë është pastaj, nëse qëllimi politik i kësaj proteste nuk ka në objektiv rrëzimin e qeverisë.
Së treti, është e gabuar (ose e qëllimshme) të thuhet se politika duhet të rrijë larg protestës. Pavarësisht komenteve që bëhen 28 vjet më pas, nëse intelektualët dhe populli I Tiranës nuk do të mbështeste jo vetëm në pjesëmarrje, por edhe në ide protestën e studentëve të Dhjetorit 1990. Me siguri që Ramiz Alia dhe pjesa tjetër e Byrosë Politike do ta kishte devijuar qëllimin e lëvizjes dhe duke plotësuar kërkesat ekonomike do ta shuante atë me të gjitha mjetet.

Vijmë në këtë mënyrë tek përfshirja apo jo e opozitës tek kjo lëzizje studentore e tanishme. Fakti që opozita e gjend e pa përgatitur , tregon se ajo nuk ka qenë pjesë e organizimit dhe kontrurimit të saj. (Nuk po flas nëse parti apo grupime të tjera kanë qenë promotore, pasi tashmë kjo është e qartë). Për këtë shkak dhe presionit paraprak të studentëve, ajo nguroi për tu përfshirë në protest nëpërmjet drejtuesve të saj kryesorë. Do të kishte qenë shumë mirë që opozita të përfitonte prej kësaj lëvizje të gjërë dhe ta shndërronte në një lëvizje masive mbarë popullore, por mesa duket kjo nuk mund të ndodhë. Focus24.info

Fakti është që opozita nuk ka qenë aq e vendosur kur është diskutuar ligji për arsimin e lartë, nuk I ka mbështetur apo organizuar studentët që në krye të herës, nuk e ka menaxhuar siç duhet pakënaqësinë që ka ardhur duke u rritur në radhët e studentëve, dhe për pasojë nuk mund të “nxjerrë gështenjat nga zjarri” me duart e studentëve. Thjeshtë opozita ishte e pa përgatitur për këtë aksion politik të studentëve dhe nga ana tjetër, ata që e përgatitën, i vunë barrier opozitës. Ata që kanë menduar se nëpërmjet kësaj lëvizje do ta dërgonin Ramën në Surrrel, kanë qenë në rastin më të mirë më shumë se duhet optimist e në rastin më të keq, naivë. Ata që besojnë ende se studentët do të detyrojnë Ramën të largohet nga zyra, janë miopë politikë.

Pyetja që pret përgjigje nga të gjithë është: a mundet me të vërtetë opozita të shfrytëzojë dhe menaxhojë pakënaqësinë popullore për të marrë ajo pushtetin në tavolinë, pa shkuar në zgjedhje?! Kjo është e vështirë të thuhet, pasi opozita nuk mund të ndryshojë shumë nga ne, nga populli i thjeshtë. Ne mendojmë dhe duam që studentët të rrëzojnë qeverinë, por asnjë (shumë pak dmth), marrin mundimin të kundërshtojnë në protestë sic bëjnë studentët politikat dhe vendimet e dyshimta të qeverisë. Kauza ka pasur plot këto vite, por në mejdan kanë dalë vetëm një numër i kufizuar aktivistësh. Të jëtë për ta rrëzuar qeverinë nga Facebook, aq angazhim sa kemi do të kishim rrëzuar edhe qeveri të tilla në vende gjigande si Kina, apo supershtete si Amerika. Por jemi dembelë, të gjithë, pa përjashtim. Duam që ti nxjerrim gështenjat me duart e të tjerëve.
Një rast i mundshëm për të treguar se dhjetori nuk është vetëm muaj festash apo vetëm I studentëve, është një protestë që kanë paralajmëruar shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë Atdheut. Të shohim nëse pjesëmarrja do të jëtë masive dhe nëse opozita do të ketë guximin të bashkohet!

Nga Arben VATA