Kushtet e burgut më të mira se në konvikte

597

I ftuar në studion e televizionit “Fax News”, eksperti i Arsimit Ndriçim Mehmeti, ka analizuar situatën në arsimin shqiptar, ndërsa u ndal tek protesta e studentëve që kërkojnë tarifa më të ulta për Universitetet publike.

Mehmeti u shpreh se tarifat e studimit janë rritur me rreth 30%, ndërsa tha se protesta e studenteve kishte shumë reagime.

Ndërsa u ndal tek qëndrimi i institucioneve lidhur me tarifimin e krediteve, se nuk ka hyrë në fuqi ende, tha se kjo është gënjeshtër, pasi në realitet VKM thotë se hyn në fuqi pas publikimit në fletoren zyrtare, gjë e cila ka ndodhur.

“Ministria e Arsimit hoqi përgjegjësinë nga vetja. Studentët po largohen nga vendi. Duhet bërë një studim që të shihet se përse po largohen studentët”, – tha ai.

Ndërsa u ndal tek largimi i studenteëve nga vendi dhe kushtet për studime në Shqipëri, ai tha:

“Të gjithë janë gati të largohen nga Shqipëria, flasin për kushte mizerabël e të gjithë janë gati të largohen nga Shqipëria.

Një student thoshte në një ese, më mirë është të jesh në burg se në Universitet. Një student më tha se unë e kam vizituar burgun dhe kushtet në burg janë më mirë sesa ato të konvikteve të shtetit.”

Më tej duke u ndalur tek mundësia e bursave të studimit, ai tha se është shumë e vështirë që të merret pasi duhet një mal me dokumente.

“Po të ngelësh duhet të paguash kaq lekë. Se ku e kanë gjetur nuk e di. Ndoshta mund të jetë anglo-sakson, sepse ata e kanë që duhet të paguash për çdo gjë”, tha Mehmeti.