Shqipëria mbërrin në Izrael me mungesa të shumta, Panuçi mban sekret formacionin

711

Shqipëria do të përballet sot në mbrëmje me Izraelin, në stadiumin e Beer Sheva, në një duel shumë kuptimplotë në grupin e parë të Divizionit C të Ligës së Kombeve. Është një ndeshje ku kuqezinjtë në asnjë mënyrë nuk duhet të humbasin, sepse edhe barazimi e mban ekipin në vallen e kreut të grupit. Dje Kombëtarja Shqiptare u nis dhe mbërriti në Izrael. Përveç mungesave që tashmë dihen të Ylber Ramadanit, Federik Veselit dhe Alban Hoxhës, pjesa tjetër e grupit është në gjendje optimale, ndërkohë që ka pasur edhe afrime të tjera. Xhiakomo Vrioni që “u huazua” te Shpresat për takimin ndaj Spanjës, është ribashkuar me grupin e Kombëtares A dhe së bashku me to, do të udhëtojë në Izrael. Forma e tij e mirë dhe paraqitja ndaj Spanjës, duket se e ka bindur Panuçin që ta marrë me vete në Izrael, ku pritet që t’i japë edhe minuta.

Një tjetër lojtar që vjen nga Shpresat, është portieri i Peskarës, Elhan Kastrati, i cili ka zënë vendin e Alban Hoxhës që u largua nga grumbullimi ditën e sotme. Trajneri Panuçi dhe kapiteni Mavraj folën në konferencë për shtyp mbrëmë, ndërkohë që ndeshja është sot në orën 20:45. Panuçi, megjithëse u ngacmua nga gazetarët, nuk dha asnjë sinjal rreth formacionit, duke e mbajtur atë sekret. Madje nuk foli as për skemën, emrat që mund të luajnë, duke ia lënë gjithçka ditës së sotme.

“Jam optimist, sepse i kam parë djemtë që kanë punuar me shumë profesionalizëm, është java më e lumtur që kur kam marrë drejtimin e Shqipërisë. Izraeli ka luajtur tri ditë më parë, por gjithçka varet nga ne, nëse do t’i vëmë në vështirësi. Formacionin dhe mënyrën sesi do të luajmë e kam zgjedhur. Do ta shohim nesër 11-shen titullare. E kam pasur në kokë formacionin pasi kam parë ndeshjen Izrael-Skoci. Grezda është rikuperuar, nuk ka probleme, skuadra është shumë mirë. Më vjen shumë keq për Mihajn, është një djalë shumë serioz, edhe për Veselin. Do t’i kemi në të ardhmen”, theksoi Panuçi. Më pas trajneri foli për kundërshtarin dhe për atë që Izraeli kishte paraqitur në ndeshjen ndaj Skocisë. “Izraeli ka zhvilluar një ndeshje të madhe ndaj Skocisë. Ishte krejt ndryshe, dukej si Skocia kundër nesh në Gllasgou. Kanë shumë cilësi dhe lojtarë të zotë, do të jetë ndeshje shumë e vështirë për ne”, shtoi Panuçi. Më pas tekniku italian i Kombëtares kritikoi ashpër drejtuesit e klubit të Metz në Francë dhe trajnerin e asaj skuadre, që nuk e kishin lënë të lirë mbrojtësin Ivan Balliu.

“Ndjej keqardhje për Balliun, sepse kishim dy dëmtime dhe i kërkuam Metzit ta grumbullonim për arsye emergjence. Urojmë që kjo t’i ndodhë trajneri të Metzit me lojtarët e tij. Sigurisht që ftesa bëhet 14 ditë përpara, por kur ke emergjencë, ndodh edhe kështu. Trajneri i Metzit nuk u tregua profesionist”, vijoi trajneri Panuçi. Më tej teknikut iu kujtua rasti që Shqipëria e kishte mundur Izraelin dy vjet më parë 3-0. “Çdo ndeshje është histori më vete, por shpresoj që ta përsëritim atë sukses. E njohim shumë mirë kundërshtarin, sepse kemi luajtur kundër njëri-tjetrit. Kemi lexuar se kanë disa ndryshime, por bëhet fjalë për një skuadër shumë të mirë. Do të përpiqemi të bëjmë më të mirën dhe e dimë që do të jetë shumë e vështirë të bëjmë rezultat”, përfundoi tekniku i Kombëtares, Kristian Panuçi. Edhe mbrojtësi Mërgim Mavraj, i cili pritet të jetë kapiten, tha të njëjtat fjalë si Panuçi. Ai kujtoi se janë atje për të synuar fitoren, megjithëse pranoi se Izraeli ka bërë përparime dhe ka një ekip të fortë momentalisht. “Është një ndjesi e veçantë për mua. I sheh gjërat më me kujdes në stërvitje. Trajneri bisedon ndryshe me ty, detyrat janë ndryshe. Mundohem që të kontribuoj në të mirën e skuadrës. Problemi është se sistemi duhet të funksionojë, pavarësisht formacionit. Nuk luan rol vetëm mbrojta. Nëse sistemi funksionon, pak rëndësi ka nëse mbrojtja është me 3, me 4 apo me 5. Jam gati të luaj për 90 minuta. Izraeli para një viti dhe më këtë që fituam së fundmi ka ndryshuar shumë. Janë më të fortë, idetë e trajnerit i shfaqin më mirë. Normalisht jemi përgatitur mirë, nëse luajmë me vetëbesim, mund të fitojmë. Jemi shqiptarë, kemi besim te vetja. Stërvitja që kemi bërë së fundmi na mjafton”, u shpreh Mavraj.

Adriatik BALLA