Nga kjo e hënë në shkollat dhe gjimnazet e vendit nuk do të ketë më përdorim të celularëve gjatë orëve të mësimit. Nisma është përshëndetur nga prindërit dhe shoqëria, ndërkohë që shumë pyesin cilat do të jenë masat në rast se ky urdhër shkelet.
Gert Janaqi, Drejtor i Institutit të Zhvillimit të Arsimit, i ftuar dje në një studio televizive, deklaroi se një nga masat që do të merret në rast shkeljeje të këtij urdhri është sekuestrimi, e në rast përsëritjeje do të bëhet konfiskim i përhershëm i celularëve.
“Ne kemi patur një rezultat të mirë në konkurset ndërkombëtare. Shqiptarët kanë dëshirë të mësojnë. Kjo na jep besimin se dialogu me prindërit do të jetë më i lehtë. Masat do të arrijnë deri në konfiskim. Do të ketë procesverbale nga mësuesit kujdestarë. Do të thërriten prindërit, prindërit do të firmosë. Fillimisht celulari do të sekuestrohet 24 orë e më pas në rast përsëritjeje do të sekuestrohet totalisht. Ne hartojmë modele, shkolla thotë fjalën e fundit. Mënyra si rregullohet është në varësi të çdo shkolle”, tha ai.