Bakaj gol, shkëlqejnë “legjionarët” e tjerë kuqezinj

532

Një fundjavë shumë pozitive për futbollistët shqiptarë që luajnë jashtë vendit. Ai që shkëlqen edhe këtë të dielë është Elis Bakaj. Sulmuesi 31-vjeçar ka shënuar sërish në kampionatin bjellorus. Në sfidën e kësaj së diele, Bakaj ka gjetur rrugën e rrjetës në sidën e ekipit të tij, Shaktjor Soligorsk, ndaj Dnepro Moligev, që përfundoi me shifrat 3-1.

Goli i sulmuesit shqiptar ishte ai që vulosi rezultatin dhe konfirmoi edhe një herë tjetër formën e mirë që Bakaj po kalon momentalisht. Me këtë formë që gëzon 31-vjeçari dhe krizën në repartin e sulmit të Shqipërisë nuk do të ishte çudi nëse Bakaj të thirrej me ekipin kombëtar për ndeshjet e para të Uefa Nations League.

Pozitive ka qenë kjo javë edhe për futbollistët shqiptarë që luajnë në kampionatin zviceran. Titullari i mesfushës kuq e zi, Taulant Xhaka është kthyer në kohë nga dëmtimi i gjatë dhe në ndeshjen e kësaj të diele të Bazel kundër Zurih ka luajtur 90 minuta të plota.

Paraqitje të mirë ka bërë edhe mbrojtësi 21-vjeçar Idriz Voca që ka luajtur ndeshjen të plotë me skuadrën e tij Luzern në sfidën përballë St.Gallen.